Njoftime
Sesioni Tematik “Punonjësit e mbrojtjes sociale dhe situatat e emergjencës – (Ri)shikimi i planit të emergjencës”
- May 16, 2023
- Posted by: wpadmin
- Category: Puna sociale në nivelin makro të praktikës (advokacia, politikat e mbrojtjes sociale, kuadri ligjor, etj.)
“Punonjësit e mbrojtjes sociale dhe situatat e emergjencës – (Ri)shikimi i planit të emergjencës”
Dr. Eris Dhamo
Online: 23 maj 2023, ora 14.00 – 16.00
Misioni i profesionit të shërbimeve sociale përfshin krijimin e lidhjeve midis popullatave të cenueshme dhe sistemeve të shërbimeve, si dhe krijimin e lidhjeve midis sistemeve të shërbimit për t’i bërë burimet më të aksesueshme për njerëzit (Minahan & Pincus, 1977). Kjo merr një rëndësi të veçantë për shërbimet në emergjencë, sepse popullsitë më të cenueshme nga fatkeqësitë shpesh mbrohen nga më pak projekte zbutëse dhe shërbehen nga më pak organizata të ndihmës ndaj fatkeqësive, me kapacitete shërbimi relativisht të ulëta (Zakour & Harrell, 2003). Dëmi që shkaktojnë fatkeqësitë është i shumëanshëm në nivele emocionale, fizike, ekonomike dhe sociale dhe punonjësit socialë në ndihmës ndaj fatkeqësive, luajnë një rol jetik në sigurimin e burimeve të nevojshme për viktimat, për të ndihmuar në rimëkëmbjen; në rivendosjen e rrjeteve të shëndetit publik, kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve sociale për të promovuar qëndrueshmërinë, shëndetin dhe mirëqenien e individëve dhe komuniteteve të prekura. Roli i tij punonjësit social përballë emergjencave evidentohet lehtësisht në ofrimin e udhëzimeve, këshillave dhe rekomandimeve mbi strategjitë për t’u përgatitur dhe për të menaxhuar gamën e gjerë të rreziqeve dhe kërcënimeve që përbëjnë emergjencat e mundshme. Tërmeti i rënë në muajin Nëntor 2019 dhe pandemia e vunë profesionistin e punës sociale në terren përballë dhënies së këshillave dhe mbështetjes me situatat e krijuara kryesisht për përgatitjen dhe zhvillimin e reagimit ndaj emergjencave dhe më pak për ndërtimin e politikave që lidhen me to. Shërbimet kryesore në emergjencë që marrin dhe vëmendjen më të madhe janë sigurisht regjistrimi (për marrjen e shërbimeve të emergjencës) dhe kërkimi, akomodimi, ushqimi, veshmbathja, shërbimet personale dhe shërbimet e ndryshme të qendrës së pritjes/strehës. Sigurisht që një pjesë e mirë e agjencive që operojnë sot kanë të ndërtuara planet e emergjencës dhe kanë të trajnuar punonjësit për këto situata, por përballë shërbimeve të reja dhe nevojave përherë e në rritje si dhe përballë zhvillimit profesional këto plane kanë nevojë të konfrontohen me mendimet dhe praktikat edhe të profesionisteve edhe të zhvillimeve.
Punonjësit e shërbimeve sociale janë profesionalë që punojnë në fushën e ndihmës sociale dhe mirëqenies së individëve dhe komuniteteve të ndryshme. Ata ofrojnë mbështetje, këshillim dhe ndihmë për personat ose familjet që kanë nevojë për ndihmë sociale, përfshirë mbrojtjen e fëmijëve, ndihmën për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, dhe të tjerë.
Aktivizimi i tyre është vendimtar në komunitetet e goditura nga fatkeqësitë, ndërkohë që të prekurit menaxhojnë jetën e tyre të përditshme dhe shkojnë drejt rimëkëmbjes. Këta profesionistë ndihmojnë me shërbime që variojnë nga këshillimi për njerëzit që përballen me stresin post-traumatik deri te gjetja e strehimit të përkohshëm për familjet e zhvendosura dhe ndërtimi i një mjedisi të sigurt për zhvillim.
Promovimi i përballimit dhe rimëkëmbjes së shëndetshme pas një fatkeqësie kërkon përgatitje të kujdesshme dhe një kuptim të thellë të kushteve tipike me të cilat përballen komunitetet pas një emergjence në shkallë të gjerë. Kjo punë kërkon gjithashtu njohuri për pabarazitë midis popullsive dhe se si ato mund të ndikojnë në rimëkëmbjen e një komuniteti. Suksesi i profesionalizmit të tyre bazohet në organizimin dhe përgatitjen për të reaguar në situata emergjente dhe për të siguruar ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për individët dhe komunitetet në rrezik dhe në rishikimin e planit të emergjencave, në të gjithë sektorët kua ata ofrojnë shërbimet e tyre.
Roli i punonjësve të mbrojtjes sociale në një katastrofë
Para së gjithash, punonjësit e mbrojtjes sociaë duhet të ndërhyjnë në një katastrofë që në fillim. Me fjalë të tjera, ata duhet të marrin pjesë në përpjekjet parandaluese dhe të krijojnë protokolle për gatishmëri emergjente. Ata gjithashtu duhet të jenë të gatshëm të punojnë me profesionistë nga fusha të tjera. Në raste urgjente, puna në grup do të jetë gjithmonë e dobishme për komunitetin e prekur. Për shkak se pasojat e këtyre lloj situatave janë shpesh shkatërruese dhe të pamundura për t’u parashikuar, ndërhyrja multidisiplinare është vendimtare. Në fund të fundit, nëse sulmoni një problem nga këndvështrime të ndryshme, ai bëhet më i vogël.
Menaxhimi i emergjencës është në vetvete vetë menaxhimi i sistemit të shërbimeve sociale, i cili fokusohet në gatishmërinë për fatkeqësitë dhe planifikimin për koordinimin e burimeve të komunitetit gjatë fatkeqësive (Gillespie, 1991). Në perspektivën e shërbimeve të mbrojtjes sociale, qëllim i rëndësishëm është përfshirja e përfaqësuesve të ndryshëm organizativë dhe drejtuesve të komunitetit në planifikimin e përgjithshëm të fatkeqësive. Pjesëmarrësit në procesin e planifikimit duhet të përfshijnë përfaqësues të organizatave joformale të komunitetit që u shërbejnë popullatave të cenueshme si fëmijët, familjet me një prind, individët me të ardhura të ulëta dhe anëtarët e pakicave etnike (Harrell & Zakour, 2000). Në këto situata, punonjësit e mbrojtjes sociale janë aty për t’u ofruar të prekurve edhe shoqërimin edhe mbështetjen me shërbimet e nevojshme. Ata gjithashtu duhet të fuqizojnë komunitetin për të marrë role drejtuese dhe për të marrë pjesë aktive në restaurimin dhe rindërtimin pas një fatkeqësie.
- Studentë dhe profesionistë të shërbimeve të mbrojtjes sociale
- Punonjës të sektorit të emergjencave
- Punonjës së sektorit jo-qeveritar
- Profesionistë dhe studiues të rinj të interesuar mbi menaxhimin e emergjencave
Qëllimi i këtij sesioni onlinë është të ofrojë një platformë të edukimit dhe ndërgjegjësimit të audiencës rreth roli të rëndësishëm që kanë punonjësit e shërbimeve sociale në situata emergjente. Të informojë audiencën rreth rolit dhe kontributit të punonjësve të shërbimeve sociale në situata emergjente, duke shpjeguar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, si dhe adresimin e sfidave dhe vështirësive që punonjësit e shërbimeve sociale hasin gjatë situatave emergjente. Kjo mund të përfshijë situatat e rrezikut, shpërndarjen e burimeve, koordinimin me organizatat e tjera dhe mbrojtjen e individëve në nevojë. Identifikimi i këtyre sfidave mund të ndihmojë audiencën të kuptojë më mirë kompleksitetin e punës së tyre dhe të shfaqin vlerësim dhe mirëkuptim ndaj tyre. Ky sesion mund të ofrojë udhëzime dhe informacion praktik për përgatitjen dhe zhvillimin e planeve të emergjencave. Mbi të gjitha kjo platformë do të jetë një mundësi e mirë shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira që ata kanë zbatuar gjatë reagimit në situata emergjente.
Në mënyrë më specifike, ky sesion synon të:
- Rrisë kuptueshmërinë rolin dhe të ndërgjegjësojë mbi ndikimin e ndërhyrjes në situatë emergjence
- Aftësojë organizimin e ndërhyrjeve në situata emergjente, në ofrimin e shërbimeve dhe në menaxhimin e terrenit
- Rrisë kuptueshmërinë e elementëve që formësojnë planet emergjente;
- Aftësojë në ndërtimin e një plani emergjence dhe rëndësinë e përditësimit të tij në agjencinë që ata përfaqësojnë
Në fund të këtij sesioni, pjesëmarrësit do të kenë mësuar:
Objektivi 1: Roli i punonjësit social përballë situatave emergjente
Objektivi 2: Si të organizohemi në ofrimin e ndihmës së parë në emergjencë
Objektivi 3: Si të organizohemi me shërbimet në situatë Emergjence
Objektivi 4: Si të (ri)ndërtoj një plan emergjence
- Për arritjen e objektivave të sipërlistuara, në këtë sesion do të kombinohen leksionet e shkurtra dhe punët/ushtrimet në grupe.
- Brainstorming dhe shkëmbim përvojash;
- Prezantime të shkurtra orientues (PPT),
- Diskutim në grupe sipas fushës së ofrimit të shërbimeve
- Ushtrime grupi/individual, etj;
- Ndërtimi i një plani emergjence (Punë individuale)
- Studim rasti (Model Plani Emergjence)
Dr. Eris Dhamo
Eris Dhamo është lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Punës dhe Politikës Sociale në Universitetin e Tiranës që nga viti 2014. Ajo u diplomua si punonjëse sociale nga i njëjti departament në vitin 2001.