Migrimi dhe Puna Sociale

Instructor
Elona Dhëmbo
72 Students enrolled
0
0 reviews
  • Description
  • Curriculum
  • FAQ
  • Notice
  • Reviews
Cover Sem1 1920-1280
Migrimi dhe Puna Sociale

Në të gjithë botën, njerëzit janë në lëvizje – studentë ndërkombëtarë, punëtorë të kualifikuar, migrantë ekonomikë, pensionistë, refugjatë, nomadë, ata brenda zinxhirëve të përkujdesit global dhe ata, statusi i paautorizuar i të cilëve i bën të cenueshëm ndaj të gjitha llojeve të shkeljeve të të drejtave të njeriut, përfshirë skllavërinë.[i] Tematika e migrimit ka qenë gjithmonë një tipar qendror dhe përcaktues i historisë njerëzore dhe ka formësuar historinë botërore në shkallë dhe nivele të ndryshme. Historikisht, migrimi është parë si një problem, por edhe një mundësi për formësimin e rendit dhe (mos)stabilitetit në kontekste globale dhe kombëtare.[ii]

Efektet e migrimit nuk kanë të bëjnë vetëm me trajektoret e jetës së individëve, por ato gjithashtu prekin politikat e kombësisë/shtetësisë dhe qytetarisë, përkatësisë dhe identitetit në një botë të strukturuar nga pabarazitë, shtypja dhe dominimi.[iii] Në këtë kontekst, migrimi paraqet sfida shtesë, ndërkohë që shtetet e mirëqenies sociale merren me politikat e integrimit dhe mënyrat e përfshirjes së emigrantëve në vendet destinacion apo me boshllëqet që krijohen në ato të origjinës (si p.sh. deficiencat në tregun e punës, në përkujdesje etj.).[iv]

Nga ana tjetër, migrimi vë në pikëpyetje çështje të përkatësisë: kush përket ku dhe kush ka të drejtë të pretendojë për të drejtat dhe përfitimet.[v] Ndërkohë që në kontekstet e Evropës Perëndimore, integrimi i imigrantëve diskutohet shpesh në terma të “sfidave të sigurisë”, “erozioni të mirëqenies” dhe dallimeve kulturore të papajtueshme, sfidat për vende kryesisht dërguese/të origjinës, si vendi ynë, janë të tjera dhe komplikohen edhe më tepër nga dinamikat e kalimit në një vend transit apo edhe destinacion (në raste më të kufizuara).[vi]

Puna sociale përbën një sektor të rëndësishëm në sistemin e mirëqenies sociale. Shpesh, punonjësve socialë u jepet/kanë një pozicion parësor apo të vijës së parë në zbatimin e politikave, përfshi ato të (ri)integrimit dhe adresimin e vulnerabiliteteve të emigrantëve dhe ose të të rikthyerve, megjithatë, mbështetja për ta për përballimin e tyre nuk është gjithmonë e menjëhershme dhe/ose e mjaftueshme.[vii] Punonjësit socialë mund të jenë aktorë të rëndësishëm në mbështetjen e statusit të shtetësisë dhe të drejtave të imigrantëve ashtu edhe të aksesit në shërbime për  imigrantët dhe emigrantet e rikthyer për të sfiduar çështje të përjashtimit dhe ndihmojnë në përfshirje, fuqizim dhe (ri)integrim.[viii]

Meqenëse punonjësit socialë janë në vijën e parë të zbatimit të politikave sociale, është e rëndësishme të shqyrtohen dhe vlerësohen pikëpamjet e tyre për e/i-migrantët, diversitetin kulturor, qëndrimet ndaj refugjatëve, në mënyrë që të identifikohen mënyrat se si përfaqësuesit e profesionit të punës sociale kontribuojnë në përfshirjen dhe përjashtimin e tyre. Janë pikërisht këto mënyra dhe qasje të trajtimit të çështjeve të migrimit dhe individëve, familjeve dhe komuniteteve të prekura prej tyre që ndikojnë përvojat e (ri)integrimit dhe ndërveprimit të e/i-migrantëve në shoqëri. Të gjitha këto e bëjnë thelbësore trajtimin e çështjeve të migrimit me prakticienë të punës sociale.

[i] Charlotte Williams, Mekada Graham, ‘A World on the Move’: Migration, Mobilities and Social Work, The British Journal of Social Work, Volume 44, Issue suppl_1, 1 June 2014, Pages i1–i17, https://doi.org/10.1093/bjsw/bcu058

[ii] Shiko p.sh. iniciativa si https://lnu.se/en/research/research-groups/social-work-and-migration/

[iii] Dhembo, E., Duci, V. & Vathi, Z. Return Migration and Human Rights in Albania: the Case of Social Protection. J. Hum. Rights Soc. Work 4, 55–62 (2019). https://doi.org/10.1007/s41134-018-0078-z

[iv] Dhembo, E. (2020) How does informal transnational social protection bond families across borders? The case of Albanian migrants and their transnational families, Journal od Mediterranean Knowledge, https://doi.org/10.26409/2020JMK5.2.15

[v] Džankić, J., Vink, M. (2022). Citizenship & Migration. In: Scholten, P. (eds) Introduction to Migration Studies. IMISCOE Research Series. Springer, Cham. https://doi.org/10.1007/978-3-030-92377-8_22

[vi] Dhëmbo, E., Çaro, E. & Hoxha, J. “Our migrant” and “the other migrant”: migration discourse in the Albanian media, 2015–2018. Humanit Soc Sci Commun 8, 317 (2021). https://doi.org/10.1057/s41599-021-00981-w

[vii] Shiko p.sh. sfidat e punonjësve sociale në përballjen me emergjencat https://www.reporter.al/2022/05/22/punonjesit-sociale-te-rraskapitur-dhe-te-padukshem-gjate-pandemise-covid-19/

[viii] Dauti, M., Dhëmbo, E., Bejko, E., & Allmuça, M. (2020). Rethinking the transformative role of the social work profession in Albania: Some lessons learned from the response to COVID-19. International Social Work, 63(5), 640–645. https://doi.org/10.1177/0020872820940356

Kush mund të marë pjesë në këtë sesion?
- Studentë dhe profesionistë të punës sociale
- Punonjës të shërbimeve sociale
- Punonjës së sektorit jo-qeveritar
- Profesionistë dhe studiues të rinj të interesuar për çështjet e migrimit
Qëllimi dhe objektivat e sesionit online
Qëllimi i këtij sesioni onlinë është të rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjet e migrimit dhe ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të prakticienëve të punës sociale në raport më rolin e tyre në mirë-qeverisjen e migrimit dhe qasjes së të gjitha kategorive të migrantëve në mirëqenie, shërbime dhe përfitime
Në mënyrë më specifike, ky sesion synon të:
• Rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjet e mobilitetit me migrimin në një botë në lëvizje;
• Njohë pjesëmarrësit me konceptet themelor, përkufizime operacionale dhe tipologjitë e migracionit;
• Të rrisë kuptueshmërinë mbi faktorët që formësojnë migrimin;
• Të rrisë njohuritë mbi qeverisjen e migracionit dhe rolin e punonjësve socialë/punonjësve të mbrojtjes sociale.
• Të shërbejë si një forum për diskutimin e sfidave dhe mundësive të punës së punonjësve socialë më migrantët.
Rezultatet e të nxënit
Në fund të këtij sesioni, pjesëmarrësit do të kenë mësuar:
• Të dallojnë mes mobilitetit dhe migrimit;
• Të dallojnë mes mundësive dhe sfidave që krijohen nga mobiliteti dhe migrimi;
• Të kuptojnë konceptet themelore në fushën e migrimit dhe dallojnë mes tipologjive të migrantëve;
• Të kuptojnë dhe diferencojnë mes faktorëve globalë dhe atyre lokalë që formësojnë vendimmarrjen dhe lëvizjet migratore;
• Të kuptojnë rolin e punonjësve sociale në qeverisjen e migracionit dhe njohin mundësitë për përmirësimin e praktikës së punë sociale në këtë drejtim;
• Të njohin dhe diskutojnë në mënyrë kritike sfidat, dilemat etike dhe mundësitë praktikat e mira në fushë.
Metodologjia e sesionit:
- Për arritjen e objektivave të sipërlistuara, në këtë sesion do të kombinohen leksionet e shkurtra dhe punët/ushtrimet në grupe.
- Për ushtrimet në grupe do t’u kërkohet pjesëmarrësve të identifikojnë dhe sjellin skenarë të tipologjive të rasteve të migratëve më të cilat mund të jenë përballur në praktikën e punës së tyre.

Duke ju falenderuar për interesin tuaj në regjsitrimin në platformë, ju njoftojmë që sesioni i radhës online “Migrimi dhe Puna Sociale” nëpërmjet platformës  do të zhvillohet të Martën, data 9 Maj 2023 në orarin 12.00 -14.00. 

Course available for 1 day
Course details
Duration 2 orë
Lectures 1
Assignments 1
Quizzes 1
Level Beginner

Arkiva

Orari i punës

Monday 8:30 am - 16.00 pm
Tuesday 8:30 am - 16.00 pm
Wednesday 8:30 am -16.00 pm
Thursday 8:30 am -16.00 pm
Friday 8:30 am -16.00 pm
Saturday Closed
Sunday Closed
Ju i kontrolloni të dhënat tuaja
Fakulteti i Shkencave Sociale, Departamenti i Punës Sociale (Universiteti i Tiranës) ruan disa informacione të vogla ne shfletuesin tuaj për të siguruar saktësine e funksionimit të faqes. Ju mund të refuzoni këtë cilësi duke shtypur butonin Refuzoj ose vizitoni Politikat e privatësisë për më shumë informacion.
This website uses cookies and asks your personal data to enhance your browsing experience. We are committed to protecting your privacy and ensuring your data is handled in compliance with the General Data Protection Regulation (GDPR).