“Migrimi dhe puna sociale” Prof. Asoc. Dr. Elona Dhëmbo
Online: 28 prill 2023, ora 12.00 – 14.00
Në të gjithë botën, njerëzit janë në lëvizje – studentë ndërkombëtarë, punëtorë të kualifikuar, migrantë ekonomikë, pensionistë, refugjatë, nomadë, ata brenda zinxhirëve të përkujdesit global dhe ata, statusi i paautorizuar i të cilëve i bën të cenueshëm ndaj të gjitha llojeve të shkeljeve të të drejtave të njeriut, përfshirë skllavërinë.[i] Tematika e migrimit ka qenë gjithmonë një tipar qendror dhe përcaktues i historisë njerëzore dhe ka formësuar historinë botërore në shkallë dhe nivele të ndryshme. Historikisht, migrimi është parë si një problem, por edhe një mundësi për formësimin e rendit dhe (mos)stabilitetit në kontekste globale dhe kombëtare.[ii]
Efektet e migrimit nuk kanë të bëjnë vetëm me trajektoret e jetës së individëve, por ato gjithashtu prekin politikat e kombësisë/shtetësisë dhe qytetarisë, përkatësisë dhe identitetit në një botë të strukturuar nga pabarazitë, shtypja dhe dominimi.[iii] Në këtë kontekst, migrimi paraqet sfida shtesë, ndërkohë që shtetet e mirëqenies sociale merren me politikat e integrimit dhe mënyrat e përfshirjes së emigrantëve në vendet destinacion apo me boshllëqet që krijohen në ato të origjinës (si p.sh. deficiencat në tregun e punës, në përkujdesje etj.).[iv]
Nga ana tjetër, migrimi vë në pikëpyetje çështje të përkatësisë: kush përket ku dhe kush ka të drejtë të pretendojë për të drejtat dhe përfitimet.[v] Ndërkohë që në kontekstet e Evropës Perëndimore, integrimi i imigrantëve diskutohet shpesh në terma të “sfidave të sigurisë”, “erozioni të mirëqenies” dhe dallimeve kulturore të papajtueshme, sfidat për vende kryesisht dërguese/të origjinës, si vendi ynë, janë të tjera dhe komplikohen edhe më tepër nga dinamikat e kalimit në një vend transit apo edhe destinacion (në raste më të kufizuara).[vi]
Puna sociale përbën një sektor të rëndësishëm në sistemin e mirëqenies sociale. Shpesh, punonjësve socialë u jepet/kanë një pozicion parësor apo të vijës së parë në zbatimin e politikave, përfshi ato të (ri)integrimit dhe adresimin e vulnerabiliteteve të emigrantëve dhe ose të të rikthyerve, megjithatë, mbështetja për ta për përballimin e tyre nuk është gjithmonë e menjëhershme dhe/ose e mjaftueshme.[vii] Punonjësit socialë mund të jenë aktorë të rëndësishëm në mbështetjen e statusit të shtetësisë dhe të drejtave të imigrantëve ashtu edhe të aksesit në shërbime për imigrantët dhe emigrantet e rikthyer për të sfiduar çështje të përjashtimit dhe ndihmojnë në përfshirje, fuqizim dhe (ri)integrim.[viii]
Meqenëse punonjësit socialë janë në vijën e parë të zbatimit të politikave sociale, është e rëndësishme të shqyrtohen dhe vlerësohen pikëpamjet e tyre për e/i-migrantët, diversitetin kulturor, qëndrimet ndaj refugjatëve, në mënyrë që të identifikohen mënyrat se si përfaqësuesit e profesionit të punës sociale kontribuojnë në përfshirjen dhe përjashtimin e tyre. Janë pikërisht këto mënyra dhe qasje të trajtimit të çështjeve të migrimit dhe individëve, familjeve dhe komuniteteve të prekura prej tyre që ndikojnë përvojat e (ri)integrimit dhe ndërveprimit të e/i-migrantëve në shoqëri. Të gjitha këto e bëjnë thelbësore trajtimin e çështjeve të migrimit me prakticienë të punës sociale.
Kush mund të marë pjesë në këtë sesion?
- Studentë dhe profesionistë të punës sociale
- Punonjës të shërbimeve sociale
- Punonjës së sektorit jo-qeveritar
- Profesionistë dhe studiues të rinj të interesuar për çështjet e migrimit
Qëllimi dhe objektivat e sesionit online
Qëllimi i këtij sesioni onlinë është të rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjet e migrimit dhe ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të prakticienëve të punës sociale në raport më rolin e tyre në mirë-qeverisjen e migrimit dhe qasjes së të gjitha kategorive të migrantëve në mirëqenie, shërbime dhe përfitime.
Në mënyrë më specifike, ky sesion synon të:
- Rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjet e mobilitetit me migrimin në një botë në lëvizje;
- Njohë pjesëmarrësit me konceptet themelor, përkufizime operacionale dhe tipologjitë e migracionit;
- Të rrisë kuptueshmërinë mbi faktorët që formësojnë migrimin;
- Të rrisë njohuritë mbi qeverisjen e migracionit dhe rolin e punonjësve socialë/punonjësve të mbrojtjes sociale.
- Të shërbejë si një forum për diskutimin e sfidave dhe mundësive të punës së punonjësve socialë më migrantët.
Rezultatet e të nxënit
Në fund të këtij sesioni, pjesëmarrësit do të kenë mësuar:
- Të dallojnë mes mobilitetit dhe migrimit;
- Të dallojnë mes mundësive dhe sfidave që krijohen nga mobiliteti dhe migrimi;
- Të kuptojnë konceptet themelore në fushën e migrimit dhe dallojnë mes tipologjive të migrantëve;
- Të kuptojnë dhe diferencojnë mes faktorëve globalë dhe atyre lokalë që formësojnë vendimmarrjen dhe lëvizjet migratore;
- Të kuptojnë rolin e punonjësve sociale në qeverisjen e migracionit dhe njohin mundësitë për përmirësimin e praktikës së punë sociale në këtë drejtim;
- Të njohin dhe diskutojnë në mënyrë kritike sfidat, dilemat etike dhe mundësitë praktikat e mira në fushë.
Metodologjia e sesionit:
- Për arritjen e objektivave të sipërlistuara, në këtë sesion do të kombinohen leksionet e shkurtra dhe punët/ushtrimet në grupe.
- Për ushtrimet në grupe do t’u kërkohet pjesëmarrësve të identifikojnë dhe sjellin skenarë të tipologjive të rasteve të migratëve më të cilat mund të jenë përballur në praktikën e punës së tyre.
Programi
12.00 – 12.15
|
Hyrje
– Mirëseardhja!
– Prezantim i qëllimit dhe strukturës së sesionit.
|
Grupi i madh
|
12.15 – 12.50
|
Leksion
– mobiliteti dhe migrimi në një botë në lëvizje;
– tipologjitë e migracionit;
– faktorët që formësojnë migrimin;
– qeverisja e migracionit dhe roli i punonjësve socialë.
|
Grupi i madh
|
12.50 – 13.10
|
Punë në grupe
– Grupi A – puna me migrantët e kthyer
– Grupi B – puna me të mitur të pashoqëruar
– Grupi C – puna më shtetasit e huaj në Shqipëri
|
Grupet e vogla
|
13.10 – 13.45
|
Ndarje dhe diskutim i punëve në grupet e vogla
– Roli i punonjësit social në secilin rast
– Sfidat & strategjitë
|
Grupi i madh
|
13.45 – 14.00
|
Pyetje – përgjigje
Përmbledhje
|
Grupi i madh
|
[i] Charlotte Williams, Mekada Graham, ‘A World on the Move’: Migration, Mobilities and Social Work, The British Journal of Social Work, Volume 44, Issue suppl_1, 1 June 2014, Pages i1–i17, https://doi.org/10.1093/bjsw/bcu058
[ii] Shiko p.sh. iniciativa si https://lnu.se/en/research/research-groups/social-work-and-migration/
[iii] Dhembo, E., Duci, V. & Vathi, Z. Return Migration and Human Rights in Albania: the Case of Social Protection. J. Hum. Rights Soc. Work 4, 55–62 (2019). https://doi.org/10.1007/s41134-018-0078-z
[iv] Dhembo, E. (2020) How does informal transnational social protection bond families across borders? The case of Albanian migrants and their transnational families, Journal od Mediterranean Knowledge, https://doi.org/10.26409/2020JMK5.2.15
[v] Džankić, J., Vink, M. (2022). Citizenship & Migration. In: Scholten, P. (eds) Introduction to Migration Studies. IMISCOE Research Series. Springer, Cham. https://doi.org/10.1007/978-3-030-92377-8_22
[vi] Dhëmbo, E., Çaro, E. & Hoxha, J. “Our migrant” and “the other migrant”: migration discourse in the Albanian media, 2015–2018. Humanit Soc Sci Commun 8, 317 (2021). https://doi.org/10.1057/s41599-021-00981-w
[vii] Shiko p.sh. sfidat e punonjësve sociale në përballjen me emergjencat https://www.reporter.al/2022/05/22/punonjesit-sociale-te-rraskapitur-dhe-te-padukshem-gjate-pandemise-covid-19/
[viii] Dauti, M., Dhëmbo, E., Bejko, E., & Allmuça, M. (2020). Rethinking the transformative role of the social work profession in Albania: Some lessons learned from the response to COVID-19. International Social Work, 63(5), 640–645. https://doi.org/10.1177/0020872820940356