Njoftime
Shërbimet e integruara socio-shëndetësore
- June 19, 2023
- Posted by: wpadmin
- Category: Puna sociale në nivelin makro të praktikës (advokacia, politikat e mbrojtjes sociale, kuadri ligjor, etj.)
“Shërbimet e integruara socio-shëndetësore”
Prof. Asoc. Dr. Eliona KULLURI
Dr. Miranda SPAHIU
Online: 21 qershor 2023, ora 14.00 – 16.00
Shëndeti është një komponent i rëndësishëm i mirëqënies. Ashtu sikurse e përkufizon edhe OBSH “shëndeti nuk nënkupton vetëm mungesën e sëmundjes apo pafuqisë por është një gjendje e mirëqënies së plotë fizike, mendore dhe sociale”. Përkufizim ky i cili thekson jo vetëm rëndësinë e trajtimit mjekësor të individit, por vlerëson edhe rolin e profesionistëve të fushave sociale në strukturat të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore.
Shëndeti dhe sëmundja janë të përcaktuara nga ndërveprimet dinamike midis faktorëve biologjikë, psikologjikë, të sjelljes dhe ato socialë (IOM, 2001). Engel më 1977 propozoi modelin biopsikosocial për trajtimin e sëmundjes, model ky që i adresohet aspekteve biologjike, sociale, mjedisore, psikologjike dhe bihaviorale (të sjelljes) të sëmundjes. Kjo zgjeron modelin tradicional mjekësor të kujdesit shëndetësor i cili fokusohet fillimisht në shkaqet biologjike të sëmundjes. Ndërkohë ndërhyrja që konsideron çështjet bio-psiko-sociale të lidhura me shëndetin kërkon funksionimin e një grupi ndërdisiplinor profesionistësh për t’iu adresuar problemeve dhe shqetësimeve mjekësore në një shumëllojshmëri situatash.
Shërbimet e integruara sociale dhe shëndetësore marrin forma të ndryshme për të përmirësuar shëndetin e popullatës me nivele të ndryshme të koordinimit. Format e ndërveprimit të shërbimeve janë të shumëfishta, në varësi të sektorëve, grupeve të synuara, objektivave apo dhe nivelit të qeverisjes (lokal, qarku dhe kombëtar).
Kujdesi ndërveprues (i integruar) është një qasje për çdo individ ku boshllëqet në kujdes, ose koordinimi i jo i duhur i kujdesit, çon në një ndikim negativ në përvojat dhe rezultatet në shëndet. Ky lloj kujdesi, në mënyrë të veçantë është i domosdoshëm për të moshuarit, për individët që jetojnë me sëmundje kronike dhe mendore afatgjata, por edhe për ata me nevoja komplekse mjeksore ose që kërkojnë kujdes të menjëhershëm. Kujdesi i integruar është më dobishëm kur është i bazuar në popullatë dhe merr parasysh nevojat e ndryshme dhe të shumëllojshme të përfituesve të shërbimit.
Dokumentat strategjikë për grupet në nevojë në Shqipëri theksojnë bashkëpunimin ndërinstitucional në nivel qëndror e lokal për të përmirësuar jetën e njerëzve. Strategjia e Zhvillimit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor 2020-2025, përcakton “integrimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale për t’iu përgjigjur nevojave individuale të individëve dhe grupeve të prekshme”. Ky model shërbimi i integruar social dhe shëndetësor është duke u pilotuar në 6 bashki . Modeli pritet që t’iu sjellë qytetarëve shërbimet ë tilla si: kujdes afatgjatë, kujdes në shtëpi, kujdesi paliativ, kujdesi komunitar për shëndetin mendor, këshillim psiko-social, ligjor, vetë-kujdes, shërbime të rehabilitimit apo përmirësimin e mnaxhimit të komunitetit për sëmundjet jokronike.
Nga ana tjetër, Puna Sociale në kontekstin shëndetësor ka një histori më tepër se 100–vjeçare (Auslander, 2001; Center of Workforce Studies, 2008; NASW, 2014). Njohja e rëndësisë se kujdesit shëndetësor në mirëqenien e përgjithshme të individit dhe aftësia e punonjësve socialë për të dhënë kontribute unike për kujdesin ndaj pacientit kanë bërë që puna sociale në shëndetësi të bëhet fusha më e madhe e praktikën së punës sociale. Roli i një punonjësi social në fushën e shëndetit është të përmirësojë funksionimin social dhe emocional të individit, familjes dhe grupit/komunitetit nëpërmjet ndërhyrjeve të synuara dhe mobilizimit të shërbimeve dhe mbështetjeve. Punonjësit socialë ndërhyjnë në kontekstin e mjediseve dhe marrëdhënieve sociale të një individi, duke njohur ndikimin e përcaktuesve socio-ekonomikë, kulturorë, psikologjikë e politikë në shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme.
Kush mund të marë pjesë në këtë sesion?
- Studentë dhe profesionistë të punës sociale
- Profesionistë të shërbimeve sociale
- Punonjës së sektorit jo-qeveritar
- Profesionistë dhe studiues të rinj të interesuar për çështjet e
Qëllimi dhe objektivat e sesionit online
Qëllimi i këtij sesioni onlinë është të rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjet e praktikës së punës sociale në kujdesin shëndetësor dhe të ndihmojë në ngritjes e kapaciteteve të punonjësve sociale në raport me rolin e tyre në ofrimin mbështetjes sociale në mjediset shëndetësore, në kuadër të ngritjes dhe funksionimit të qendrave socio-shëndetësore.
Në mënyrë më specifike, ky sesion synon të:
- rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjet e sociale në mjedisin shëndetësor;
- njohë pjesëmarrësit me konceptet themelor, përkufizime operacionale dhe tipologjitë e ndërhyrjeve sociale në kujdesin socio-shëndetësor;
- të rrisë kuptueshmërinë mbi faktorët socialë që ndikojnë shëndet;
- të shërbejë si një forum për diskutimin e sfidave dhe mundësive të punës së punonjësve socialë në mjedisin shëndetësor.
Rezultatet e të nxënit
Në fund të këtij sesioni, pjesëmarrësit do të kenë mësuar:
Në fund të kursit studentët do të jenë të aftë:
- të kuptojnë konceptet kryesore që lidhen me shërbimet sociale në fushën e kujdesit shëndetësor;
- të jenë të aftë të paraqesë modelin social të sjelljes dhe komunikimit në mjedisin shëndetësor;
- të zotërojnë njohuri lidhur me pozitat e punës sociale në shëndetësi;
- të jenë të aftë të vlerësojë situata shëndetësore nga këndvështrimi psikosocial.
- të njohin dhe diskutojnë në mënyrë kritike sfidat, dilemat etike dhe mundësitë praktike më të mira në fushën e kujdesit shëndetësor.
Metodologjia e sesionit:
- Për arritjen e objektivave të lartpërmendura, në këtë sesion do të kombinohen leksionet e shkurtra dhe punët/ushtrimet në grupe.
Programi
Jam shume e interesuar të marrë pjesë te ky trajnimi