Njoftime
Fuqizimi i fëmijëve – te punuarit direkt me femijët
- December 14, 2023
- Posted by: wpadmin
- Category: Puna sociale në nivelin mexo të praktikës (shërbimet e integruara, puna me familjen, grupin, komunitetin, etj.)
“Fuqizimi i fëmijëve – te punuarit direkt me femijët”
Prof.Asoc.Dr. Juliana Ajdini
Online: 14 dhjetor 2023, ora 14.00 – 16.00
Puna e punonjësit social përbëhet nga tre nivele, duke filluar nga ndjekja e rastit, puna në grup, terapia e grupit, terapia e familjes, organizimi i komunitetit dhe administrimi. Nivelet janë renditur më poshtë:
- mikropraktika ose niveli i primar, ku fokusi është individi;
- mezopraktika ose niveli sekondar, ku fokusi janë familjet dhe grupet e vogla;
- makropraktika ose niveli terciar, ku fokusi janë puna me organizatat dhe komunitetet apo realizimi i ndryshimeve në politikat sociale.
a. Konceptimi i individit në mjedisin rrethues
Individi në shoqërinë tonë ndërvepron me disa sisteme, disa prej të cilëve janë paraqitur në skemën1. Në këtë aspekt, punonjësi i mbrojtjes së fëmijës e fokuson punën në tre nivele.
Së pari, tek vetë fëmija duke synuar të zhvillojë kapacitetet personale me qëllim zgjidhjen e problemeve.
Së dyti, fokusohet në marrëdhënien ndërmjet fëmijës dhe sistemeve, me të cilët ajo/ ai ndërvepron, si dhe lidhjen e personit me burimet e nevojshme, shërbimet e mundësitë, p.sh. fuqizimi i kapaciteteve të prindërve/ kujdestarëve të fëmijëve.
Së treti, fokusohet në sistemet dhe kërkon t’i reformojë ato, me qëllim plotësimin e nevojave të fëmijëve. Kjo përqasje merr parasysh që fëmija është një person në qendër, me kapacitet për t’u zhvilluar, që ndikohet dhe ndikon mjedisin e sistemet, me të cilat rrethohet. Pra, nuk është thjesht një viktimë, por shihet si një qenie me potencial dhe kapacitet, për të ndikuar ndryshimet dhe për të marrë vendime për jetën e vet.
Modeli ekologjik i sheh individët, familjet dhe grupet e vogla të karakterizuar nga probleme dhe nevoja të përkohshme, ndërsa ata lëvizin nga një stad në tjetrin. Individët mund të hasin probleme ndërsa zhvendosen nga një nivel në tjetrin. Shembuj mund të jenë të mësuarit të ecësh, fillimi i shkollës, gjetja e punës, martesa, të pasurit e fëmijëve, divorci, vdekja e një të afërmi. P.sh. disa prindër i kushtojnë një rëndësi të veçantë sinqeritetit të fëmijëve. Në familje të tilla, në mënyrë graduale, fëmijët mësojnë të fshehin sjellje dhe mendime, të cilat nuk i përmbushin pritshmëritë e prindërve. Zakonisht, nëse prindërit zbulojnë se fëmijët i gënjejnë mund të lindin një sërë konfliktesh. Në raste të tilla, një ndërhyrje efikase do të ishte hapja e rrugëve të komunikimit dhe ofrimi i ndihmës prindërve, për të kuptuar se, nëse kërkojnë që fëmijët të jenë të sinqertë, atëherë duhet t’i pranojnë më tepër mendimet dhe veprimet e tyre.
Praktika e drejtpërdrejtë përfshin punën me individë, çifte, familje dhe grupe. Praktikantët e drejtpërdrejtë luajnë shumë role, veç përballjes së shërbimit ballë për ballë. Përveç të tjerash, ata punojnë në bashkëpunim me profesionistë të tjerë, organizata e institucione dhe përpiqen të advokojnë me ligjvënës, administratorë agjencish dhe borde vendimmarrëse.
Termi praktikë klinike zakonisht përdoret në mënyrë të pandashme nga praktika e drejtpërdrejtë, por termat mund të kenë kuptime të ndryshme, për njerëz të ndryshëm. Ithtarët e termit kanë theksuar se puna sociale klinike detyron emancipim, duke ndihmuar dhe rritur kapacitetet përshtatëse të njerëzve dhe duke rritur përgjegjshmërinë e mjedisit fizik e social, për nevojat e njerëzve. Senson sugjeroi se ”punonjësit socialë klinikë punojnë me klientët për të sjellë ndryshime social-psikologjike dhe për të rritur aksesin ndaj burimeve sociale dhe ekonomike“ (Senson, 1995). Disa njerëz të tjerë mendojnë për praktikën klinike, si psikoterapi e kufizuar, e realizuar për çështjet e shëndetit mendor, çështje të praktikës me varësitë ose çështje të tjera të ngjashme. Kundërshtarët e termit sugjerojnë se është treguar më shumë vëmendje për sëmundjen dhe patologjitë, se sa për shëndetin dhe të qenit mirë. Praktika e drejtpërdrejtë mbulon një numër të madh rolesh, duke përfshirë edhe rolin e psikoterapeutit.
Ndihma ndaj njerëzve në vështirësi kërkon në të njëjtën kohë, njohuri dhe shprehi të zgjidhjes së problemit. Zgjidhja e problemit kërkon njohuri dhe shprehi në të ndihmuarin e individit për problemin dhe në lokalizimin e tij, zhvillimin ose përdorimin e përshtatshëm të sistemeve të burimit. Shprehitë inkurajuese për klientët, planifikimi reciprok i qëllimeve të përshtatshme dhe përkufizimi i roleve të pjesëmarrësve, janë gjithashtu pjesë përbërëse të procesit të zgjidhjes së problemit. Në mënyrë të ngjashme, praktikanti mund të zotërojë njohuri mbi ndërhyrjet dhe shprehi për t’i vënë në zbatim ato.
Praktikantët e drejtpërdrejtë të punës sociale duhet të kenë njohuri dhe shprehi në marrjen në intervistë dhe në diskutimin e marrjes në intervistë, në ndërveprime problematike duke përfshirë individët, çiftet, familjet dhe grupet. Njohuritë mbi proceset e grupeve dhe shprehitë e udhëheqjes së tyre janë gjithashtu të rëndësishme, sikurse janë shprehitë e formimit të rrjetit natyral të ndihmës, funksionimi si anëtar i një grupi ndërdisiplinor dhe negocimit brenda dhe mes sistemesh. Funksioni i negocimit kërkon shprehi në ndërmjetësim të konflikteve dhe advokimin dhe mbajtjen e burimeve, të cilët së bashku shprehin nivelet e larta të shprehive ndërpersonale.
Kush mund të marë pjesë në këtë sesion?
- Studentë dhe profesionistë të punës sociale
- Punonjës të shërbimeve sociale
- Punonjës së sektorit jo-qeveritar
- Profesionistë dhe studiues të rinj të interesuar për praktiken e punes sociale me femijet.
Qëllimi dhe objektivat e sesionit online
Ky sesion do të fokusohet në eksplorimin e dinamikave të procesit të ndihmës së drejtpërdrejtë dhe fazat e tij në zbatimin në praktikë. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet dilemave etike, me të cilat profesionistët përballen gjatë ndërveprimit me fëmijë të gjinive dhe moshave të ndryshme (p.sh., mos mërzitja e fëmijëve), si dhe rëndësinë e punës së drejtpërdrejtë me fëmijën e abuzuar ose në rrezik për abuzim, përgjatë procesit të ndihmës.
Në mënyrë më specifike, ky sesion synon të:
- Prezantojë njohuritë dhe teknikat bazë për punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve, në ofrimin e ndihmës së drejtpërdrejtë për fëmijët;
- Rrise kuptueshmerine e pjesëmarrësve me teoritë, përqasjet dhe teknikat efikase në punën me fëmijët;
- Njohe pjesemarresit/et me dinamikat e fazave të ndryshme të procesit të ndihmës, mbështetur tek nevoja specifike të fëmijëve.
- Të shërbejë si një forum për diskutimin e sfidave dhe dilemave etike me të cilat mund të përballemi në praktikën tonë të përdishme profesionale ne punen me femijet.
Rezultatet e të nxënit
Në fund të këtij sesioni, pjesëmarrësit do të kenë mësuar:
- Të dallojnë nivelet e praktikes se punes sociale me femijet;
- Të kuptojnë modelet e punes sociale me femijet;
- Të kuptojnë rëndësinë e kuptimit te emocioneve te femijeve perpara se te fillojne punen per fuqizimin e tyre;
- Të kuptojnë rëndësinë e njohjes së kodit të etikës;
- Të njohin dhe diskutojnë shprehite e punes sociale me femijet.
Metodologjia e sesionit:
- Për arritjen e objektivave të sipërlistuara, në këtë sesion do të kombinohen leksionet e shkurtra dhe punët/ushtrimet në grupe.
- Për ushtrimet në grupe do t’u kërkohet pjesëmarrësve të identifikojnë dhe sjellin skenarë të dilemave të tyre etike me të cilat mund të jenë përballur në praktikën e punës së tyre.
Programi
12.00 – 12.15 | Hyrje
– Mirëseardhja! – Prezantim i qëllimit dhe strukturës së sesionit. |
Grupi i madh |
12.15 – 12.50 | Leksion
– Metoda ne punen me femijet; – Procesi i ndihmes profesionale; – Konfidencialiteti ne marredheniet me femijet – Shprehi dhe aftesi ne punen me femijet. |
Grupi i madh |
12.50 – 13.10 | Punë në grupe
– Grupi A – Kuptimi i konfliktit të interesit – Grupi B – Interesi më i lartë i fëmijëve – Grupi C – Limitet e konfidencialitetit |
Grupet e vogla |
13.10 – 13.45 | Ndarje dhe diskutim i punëve në grupet e vogla
– Interpretime dhe sfida
|
Grupi i madh |
13.45 – 14.00 | Pyetje – përgjigje
Përmbledhje |
Grupi i madh |