Njoftime
Puna sociale e licensuar si shërbim privat
- October 20, 2023
- Posted by: wpadmin
- Category: Evente Puna sociale në nivelin mexo të praktikës (shërbimet e integruara, puna me familjen, grupin, komunitetin, etj.)
Prof. Asoc. Dr. Nevila Koçollari Furxhiu
DPPS/FSHS
Online: 26 tetor 2023, ora 14.00 – 16.00
Puna sociale e licensuar si shërbim privat
Ngritja dhe funksionimi i Urdhrit të Punonjësit Social, sjell në vëmendje nevojën e organizimit të praktikave dhe shërbimeve private të licensuara të punës sociale. Aktualisht, ky proces konsiderohet ende sfidues dhe i vështirë në disa plane: atë praktik profesional personal, lidhur me formimin akademik të përshtatshëm dhe kualifikimet në fushën specifike të kryerjes së veprimtarisë, si dhe në atë lidhur me të ardhmen e ushtrimit të profesionit në kontekstin e klimës dhe rregullave të biznesit, ligjit dhe administrimit të dokumentave. Nga ana tjetër, praktika e ushtrimit të profesionit në rrugë private, sjell nevojën e organizimit dhe administrimit të shërbimeve, sikurse edhe disiplinimit dhe menaxhimit të agjendave të punës, takimeve, orareve, hapësirave në funksion të shërbimit, sipas standardeve, monitorimin dhe ruajtjen e konfidencialitetit dhe privatësinë e marrëdhënies me çdo klient. Ky sesion online, është një përpjekje për të orientuar dhe ndihmuar studentët, apo edhe profesionistët e diplomuar të fushës që do të zgjedhin shërbimin privat, në ndërtimin e praktikave të suksesshme dhe të qëndrueshme, në kuadër të licensimit të punonjësve socialë të profilizuar drejt këshillimit dhe punës sociale klinike. Moduli synon të ndihmojë punonjësit socialë (studentë e profesionistë) me njohuri dhe informacion mbi legjislacionin dhe praktikat bazë aktive të punës sociale private të licensuar, në funksion të këshillimit dhe punës sociale klinike, duke u fokusuar në aftësitë e nevojshme për të ofruar shërbime dhe trajtim privat të profesionistëve të licensuar, për individë dhe grupe të vogla.Diskutimet gjatë zhvillimit të sesionit, do të hedhin dritë mbi çështjet themelore, kurrikulat dhe praktikat mësimdhënëse dhe të edukimit që duhen reformuar, konfrom nevojave dhe kritereve të përcaktuara në UPS dhe praktikave botërore.
Punonjësit socialë privatë të licensuar, mund të punojnë me popullata të gjera klientësh, si fëmijët, familjet dhe të rriturit që përjetojnë një sërë sfidash të spektrit emocional e të sjelljes. Ata gjithashtu mund të specializohen në popullata të synuara, të tilla si profesionistë që kanë nevojë për ndihmë për të adresuar pengesat mendore dhe emocionale për suksesin në karrierë, ose anëtarët e ushtrisë që luftojnë me aspektet mendore dhe emocionale të punës së tyre. Procesi i licesimit, sikurse edhe pasioni personal për profesionin, orienton punonjësit socialë të drejtohen edhe drejt shërbimit privat. Kjo është një vendimarrje dhe eksperiencë sfiduese, pasi nuk bazohet vetëm në njohuritë e fituara në programet bachelor dhe master, por patjetër që kërkon kualifikime të mëtejshme të përditësuara dhe të certifikuara në fushat ku aplikohen licensat private të ushtrimit të profesionit, sikurse edhe në përthitjen dhe zbatimin e njohurive në fushën e rregullave dhe procedurave të funksionimit të biznesit dhe tregut. Ky është një proces që kërkon konsulencë profesionale jo vetëm brenda fushës, në kontekstin e konsumimit profesional, dokumentimin e rasteve, vlerësimin e tyre, por edhe atë të marketimit të shërbimit.
Punonjësit socialë klinikë mund të ndërtojnë dhe ofrojnë shërbimet e tyre private vetëm, ose edhe në grup. Rëndësi ka të kuptohet që këto shërbime mund të shtrihen përtej mjedisit të tyre të punës ( zyrës) në shkolla, institucione të shëndetit, gjykatë, etj.
Kush mund të marë pjesë në këtë sesion?
- Të diplomuar në Punë Sociale, të përfshirë në proceset e anëtarësimit në UPS-në dhe licensimit, në kërkim të karrierës së mëtejshme.
- Studentë që janë duke ndjekur studimet aktuale në fushën e Punës Sociale, të interesaur të informohen për alternativat e zhvillimit të karrirës profesionale.
- Punonjës socialë që veprojnë në fushën e shëndetësisë.
- Punonjës socialë të pajisur me kualifikimet e nevojshme në fushën e Punës Sociale Klinike, me interes vetëpunësimin.
Qëllimi dhe objektivat e sesionit online
Qëllimi i këtij sesioni është të njohë pjesëmarrësit me punën sociale të licensuar si shërbim privat, duke trajtuar bazën ligjore dhe kapacitetet profesionale që një profesionist I fushës duhet të zotërojë potencialisht.
Në mënyrë më specifike, ky sesion synon:
- Të rrisë njohuritë rreth legjislacionit shqiptar që përfshin procesin e licensimit të profesionistëve, sikurse edhe të prezantojë praktika të punës socialë të licensuar ndërkombëtarisht.
- Të rrisë njohuritë rreth programeve të edukimit universitar të ofruar nga FSHS/DPPS-ja, përmes kurrikulave aktuale dhe përmirësimit të tyre, sikurse edhe kundrejt kualifikimit të vazhduar dhe përfitimeve në profesion dhe licensim.
- Të rrisë ndërgjegjësimin dhe njohuritë e pjesëmarrësve lidhur me sfidat dhe shtrirjen në kohë të procesit të punës sociale si shërbim privat.
- Të sigurojë njohuritë e nevojshmë mbështetëse, lidhur me sektorin e menaxhimit financiar të aktivitetit.
- Të përmirësojë vizionin e të ardhmes së profesionit të punës sociale, jo vetëm brenda institucioneve të shërbimeve.
Rezultatet e të nxënit
Në fund të këtij sesioni, pjesëmarrësit do të kenë mësuar:
- rregullat bazë që përcakton legjislacioni dhe praktikat aktive të punës sociale private të licensuar;
- nevojën e aftësimit në teknika të avancuara diagnostikimi dhe praktika në Punën Sociale Klinike;
- nevojën e aftësimit në teknikat e vlerësimi të rasteve, sikurse edhe referimin e tyre sipas nevojës dhe teknikat e ndërhyrjes
- nevojën e aftësimit për të promovuar, zhvilluar dhe mbajtur kontaktet me institucionet e interesit apo rrjetet e bashkëpunimit edhe në mjedisin e biznesit dhe tregut, pa cënuar konfidencialitetin dhe kodin etik profesional.
Metodologjia e sesionit:
- Sesioni do të kombinojë leksione të shkurtra, diskutime në grup, dhe raste konkrete.
Programi
14:00 – 14:15 | Hyrje
– Mirëseardhja. – Prezantim i objektivave të sesionit online |
Grupi i madh |
14:15 – 15:00 | Leksion
Rëndësia e licensimit dhe puna sociale private – Praktikat bashkëkohore të punës sociale private
– Pyetje/Diskutim |
Grupi i madh |
15:00 – 15:15 | Puna sociale në kontekstin e ristrukturimit të programeve dhe kurrikulave, si dhe zhvillimit të biznesit
Pyetje/Diskutim |
Grupi i madh |
15:15 – 15:50 | Diskutim i eksperiencave të pjesëtarëve të grupit, por edhe ndërkombëtare
Ushtrim |
Grupe të vogla |
15:50 – 16:00 | Përmbledhje | Grupi i madh |
Burime:
https://urdhriipunonjesvesociale.al/ligje-dhe-akte-nen-ligjore/
https://socialworklicensemap.com/become-a-social-worker/lmsw-vs-lcsw/
https://socialworklicensemap.com/become-a-social-worker/nasw/#socialworkcredential
https://socialworklicensemap.com/become-a-social-worker/#apply
https://socialworklicensemap.com/social-work-careers/forensic-criminal-justice-social-worker/
https://socialworklicensemap.com/social-work-careers/child-family-social-worker/
https://socialworklicensemap.com/social-work-careers/geriatric-social-worker/
https://socialworklicensemap.com/social-work-careers/forensic-criminal-justice-social-worker/
https://socialworklicensemap.com/social-work-careers/hospice-palliative-care/