Njoftime
Puna në grup Etika dhe Dilema
- June 27, 2023
- Posted by: wpadmin
- Category: Puna sociale në nivelin makro të praktikës (advokacia, politikat e mbrojtjes sociale, kuadri ligjor, etj.)
“Puna në grup; Etika dhe Dilema”
Prof.Asoc.Dr. Juliana Ajdini
Online: 29 qershor2023, ora 14.00 – 16.00.
Në shkencat sociale ka shumë autorë që kanë dhënë përkufizimet e tyre mbi grupin. Megjithatë kur flasim në përgjithësi për grupin, atë e përkufizojmë si praninë e 2 ose më shumë që ndajnë bashkarisht vlera, qëndrime, hapësira apo vizinone. Në profesionin e punës sociale përqasja multidisiplinare dhe puna në ekipe janë shumë të rëndësishme. Skaff (1988) e përkufizoi përqasjen multidisiplinare si “grup ofruesish shërbimesh si profesionistë edhe jo profesionistë, nga një sërë disiplinash, që punojnë së bashku në parashikimin e diagnozës, trajtimin, parandalimin, dhe konsultimin mbi shërbimet”. Përqasja multidisiplinare është një teknikë e procesimit, vlerësimit dhe të punuarit mbi një situatë duke përfshirë disiplina të ndryshme në mënyrë që të arrihet një kuptim më i plotë i problemit dhe të sugjerohen alternativa të ndryshme (Winton dhe Mara, 2001). Frothingam (1994) raporton se 10 deri në 15 anëtarë mund të jenë pjesë e takimeve multidisiplinare, por eksperienca tregon se numri i pjesëmarrësve varet nga rasti që do të shqyrtohet dhe duhet të ndërtohet mbi bazën e nevojave të evidentuara përgjatë procesit të vlerësimit fillestar. Grupi mund të përbëhet nga punonjës social psikolog, terapist, infermier, avokatë, doktor, mësues, roje, policë, mësues, psikolog shkollor apo persona të tjerë të lidhur me historikun, nevojat dhe shërbimet e mundshme që mund t’i ofrohen rastit.
Grupi multidisiplinar i zgjidh rastet e konfliktit, koordinon shërbimet, ndan informacionin, ofron mbështetje për anëtarët e grupit dhe ndan përgjegjësinë për marrjen e vendimeve (Gilgun, 1988). Mbledhja e grupit multidisiplinar është bazuar në negocim midis profesionistëve të ndryshëm, me role të ndryshme dhe perspektiva profesionale të ndryshme. Përfitimet nga përqasjet multidisiplinare përfshin, informacion shtesë mbi rastin, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, rritje të besimit dhe mirëkuptim, dhe ofrim i mbështetjes (Goldestein dhe Griffin, 1993). Alexandër (1993) sugjeron që grupi mund të konsiderohet si një grup ndërdisiplinor i cili punon në mënyrë të integruar me njëri –tjetrin për ta trajtuar rastin në mënyrë holistike/ tërësore. Grupet multidisiplinare jane grupe me profesioniste te disiplinave te ndryshme, te cilet punojne se bashku per te bere vleresimin dhe trajtimin e plote te pacientit me probleme te shendetit mendor.
Puna në grup ka për qëllim përdorimin në mënyrë sa më efikase të burimeve njerëzore e profesionale të shërbimit, duke vlerësuar kontributin e secilit punonjës nëpërmjet detyrave ose përgjegjësive specifike, si dhe duke mbajtur një raport të drejtë ndërvarësie dhe autonomie operative. Puna në grup realizohet nëpërmjet qarkullimit sistematik të informacionit duke respektuar parimin e ruajtjes së sekretit profesional, zhvillimit të projekteve terapeutike nëpërmjet veprimeve multidisiplinare, koordinimit të ndërhyrjeve në bashkëpunim midis figurave të ndryshme profesionale, edukimit të vazhdueshëm të ekipit.
Në punën në grup, një rëndësi të madhe i kushtohet vlerave dhe parimeve etike. Vlerat i ndihmojnë punonjësit social të përcaktojnë qëllime si për klientët ashtu edhe për shoqërinë. Vlerat janë besime që udhëheqin proçesin tonë të të menduarit për mënyrën se si duhet të sillemi dhe si të përcaktojmë atë çfarë duam të arrijmë. Tërësia e vlerave varion nga një person tek tjetri. Marrja në konsideratë e vlerave të anëtarëve të familjes, miqve, punëdhënësve, mësuesve apo të tjerëve, që bëjnë pjesë në mjedisin e klientit është shumë i rëndësishëm në marrjen e vendimeve të drejta dhe fitimprurëse. Çështja bëhet më e komplikuar kur praktika e punës sociale përfshin më tepër se një person.
Disa nga vlerat kryesore ku e mbështet punën e tij profesionale punonjësi/ja social/e janë:
Ø Përkushtimi ndaj rëndësisë primare që ka individi në shoqëri.
Ø Përkushtim ndaj ndryshimit social për të plotësuar nevojat sociale.
Ø Përkushtimi ndaj drejtësisë sociale dhe mirëqënies ekonomike, fizike dhe mendore të të gjithë anëtarëve të shoqërisë.
Ø Respekti dhe vlerësimi i diferencave të gjithsecilit.
Ø Përkushtim në zhvillimin e e aftësisë së klientëve për të ndihmuar vetveten.
Ø Vullnet për t’iu transmetuar të tjerëve njohuri dhe shprehi.
Ø Vullnet për të mbajtur ndjenjat dhe nevojat personale të ndara nga marrëdhëniet profesionale.
Ø Respekt për konfidencialitetet në marrëdhëniet me klientët.
Ø Vullnet për t’u treguar këmbëngulës.
Ø Përkushtim ndaj një paraqitje personale dhe profesionale të standarteve të larta.
Kush mund të marë pjesë në këtë sesion?
– Studentë dhe profesionistë të punës sociale
– Punonjës të shërbimeve sociale
– Punonjës së sektorit jo-qeveritar
– Profesionistë dhe studiues të rinj të interesuar për çështjet e migrimit
Qëllimi dhe objektivat e sesionit online
Qëllimi i këtij sesioni onlinë është të rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjet e rëndësisë së punë në grup dhe të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të prakticienëve të punës sociale në raport më rolin e tyre në mirë-qeverisjen e migrimit dhe qasjes së të gjitha kategorive të migrantëve në mirëqenie, shërbime dhe përfitime.
Në mënyrë më specifike, ky sesion synon të:
· Rrisë ndërgjegjësimin mbi çështjet e rëndësisë së punës në grup;
· Njohë pjesëmarrësit me konceptet themelor, përkufizime operacionale dhe dilemat etike;
· Të rrisë kuptueshmërinë mbi faktorët që formësojnë grupin multidisiplinar;
· Të shërbejë si një forum për diskutimin e sfidave dhe dilemave etike me të cilat mund të përballemi në praktikën tonë të përdishme profesionale.
Rezultatet e të nxënit
Në fund të këtij sesioni, pjesëmarrësit do të kenë mësuar:
· Të dallojnë dimensionet e dinamikave të funksionimit të grupit;
· Të kuptojnë modelet e komunikimit mes anëtarëve të grupit;
· Të kuptojnë rëndësinë e kohezionit të grupit;
· Të kuptojnë rëndësinë e njohjes së kodit të etikës;
· Të njohin dhe diskutojnë në mënyrë kritike sfidat, dilemat etike dhe mundësitë praktikat e mira në fushë.
Metodologjia e sesionit:
– Për arritjen e objektivave të sipërlistuara, në këtë sesion do të kombinohen leksionet e shkurtra dhe punët/ushtrimet në grupe.
– Për ushtrimet në grupe do t’u kërkohet pjesëmarrësve të identifikojnë dhe sjellin skenarë të dilemave të tyre etike me të cilat mund të jenë përballur në praktikën e punës së tyre.
Programi
14.00 – 14.15 Hyrje – Mirëseardhja! – Prezantim i qëllimit dhe strukturës së sesionit. Grupi i madh
14.15 – 14.50 Leksion – Grupi; – Grupi multidisiplinare; – Ush. Mbytja e anijes – Vlerat dhe parimet etike; – Standardet dhe dilemat etike. – Grupi i madh
12.50 – 13.10 Punë në grupe – Grupi A – Kuptimi i konfliktit të interesit – Grupi B – Interesi më i lartë i fëmijëve – Grupi C – E drejta e klientit për të vetë-vendosur Grupet e vogla
13.10 – 13.45 Ndarje dhe diskutim i punëve në grupet e vogla – Interpretime dhe sfida Grupi i madh
15.45 – 16.00 Pyetje – përgjigje Përmbledhje Grupi i madh